1/1-E vërteta vonon por nuk harron!

(në gjurmët e një krimi)

 

Ekziston nji roman, mbi të bamet e Sigurimit t’Enverit (shtetit) me titull: “Gjurmët të çojnë në qelë”. Kur sot, e gjithë e kaluemja e drejtsisë shqiptare ashtu vue në pikëpyetje të plotë, vetvetiu lind dëshira e verifikimit në planin e saktësisë, kjo më shtyu me shkue në Qelzën e Pukës, që asht vendi i ngjarjes. Për çudi, përmbajtja e romanit përputhej 99.99% me rrëfimet e katundarëve (përveç një pike), por me kahun e kundërt. Atje morëm vesht, se epilogu i ngjarjes i përket Shkodrës, me 12 nandor 1958 dhe ishte nji prej dy ngjarjeve kryesore, që sherben për dënimin e Klerit Katolik në Shqipni (K.K.Sh.), në fushën e krimit (tjetra ishte futja e armëve në Kishën e Fretenve (në rrugicën e Gjuhadolit), të cilën e denoncoi Pjerin Kçira, si vepër të bame nga ai vetë me urdhën të Sigurimit).

Romani, mbështetet në seancat gjyqsore të bame me 1958, veçse tepër-tepër larg të vërtetës, ku u akuzue bariu shpirtnor i banorve të katundit Qelzë Dom Engjëll Kovaçi (1920-1958); si vrasës, imoral, hajdut e politikan dhe u dënue me vdekje me vendimin #12 dt.13-XI-1958.

Dëshmitarët e kohës në burg, pohojnë, se Dom Engjëlli, pat lëshue nji brimë gjithë tmerrë, kur i komunikuen momentin e pushkatimit (ekzekutue me 10-XI-1958, simbas njoftimit të Kampit 315 të Shkodrës). Pikërisht, ky fakt më pat futë dyshimin prej kohësh, mbasi nuk kishte asnjë arsye nga ana e Dom Engjëllit, që ai t’i bante qejfin kriminelave në çastin e fundit, por atje duhet të kishte ndodhë diçka, që e kishte detyrue priftin, të mbante atë qendrim në gjyq, mbasi kur e pat pyet Prokurori, për marrdhanjet me të motrën (kjo e vetëm kjo u kujtohet të gjithëve, sesi i akuzuemi me gjysë zani, se nuk kishte ma shumë) e pat pohue, por motra jo vetëm trimneshë, por edhe me za shumë kundërshtoi me forcë, tue tregue se si Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës (D.P.B.Sh), si linçues i kishte futë grykën e revoles në gojë asaj, për të pranue dhe nënshkrue këtë ide të çmendun (dëshimtarët e gjyqit me 1958, janë gjallë e të shumtë, në mes të qytetit të lashtë).Besa e malsorit-tashma e shkatrrueme totalisht, prej politikës përçase të PPSh, kuptohet, dhunimi, tortura e masakrat e kishin ba të vetën mbi trupin e këtij bariu, por i premë në besë prej vetvedit, se kishte pranue çka as nuk i shkonte kujt nëpër mend, kur mërrijti për nji çast me kuptue se asht para pushkatimit, krejtësisht i pafajshëm, protestoi deri në çmendi. A mund të ketë fakt ma kuptimplot, për ata që dëshirojnë me dijtë të vertetën?

Çfarë ka ndodhur, simbas romanit dhe si asht e vërteta? (Pa dyshim, që kjo e fundit asht e re për lexuesit shqiptar në përgjithësi, mbasi në veçanti njohunitë për tragjedinë janë përafërsisht të plota).

Simbas auktorit të romanit, në afërsi të Kishës së katundit Qelzë, kryhet nji vrasje, mbasi viktima në fjalë, ishte operativi i Sigurimit të katundit. Vrasjen e kreu prifti i katundit Dom E.Kovaçi, i cili, e tërheq me anë të së motrës viktimën në pritë, e vret e mbasandej largohet, tue krijue alibinë, se nuk ka qenë atje kur asht krye krimi.Përmbajtja e romanit, përshkruhet prej nji gjuhe të besueshme për lexuesin, por për nji dëshmitarë, që ka asistue në gjyqin e Shkodrës me 1958, gjithçka asht e pavlefshme dhe gënjeshtër (e keqja e ne shqiptarëve asht se i shohim gjanat me njianshmeni dhe të izolum prej ambjentit rrethues dhe ndihmës të fakteve). Dëshmitari i saktë e i plotë i prapaskenës se gjyqit të zhvilluem me 1958, do të ishte Kryetari i D.P.B. Gen.Hilmi Seiti (i vdekun pak ma vonë me 1961, prej hemoragjisë celebrale në zyrën e Sekretarit të parë të PPSh të Shkodrës Sul Bahollit (gojët e “këqia”, thonë se e zhduku vetë Sigurimi i Shtetit (S.Sh.), për të humbë gjurmët e krimeve të përbindshme, që kishte ba ai në sigurim gjatë asaj periudhe në Shkodër), por për fatin e keq të kriminelave, ai nuk jetoi ma, dhe detyrimisht i vetmi dëshmitar i saktë janë banorët e katundit Qelzë, të cilët sot dëshmojnë për fakte jo vetëm të reja, por edhe të kundërta.

Ne po japim vetëm materialin e mbledhun në Qelzë, saktësia e së cilit asht e lidhun me gjyqin e Shkodrës të 1958. Hamendjet e perdoruna, nuk janë krejt ashtu, mbasi ato lidhen me ngjarje konkrete, dhe për të cilat ka edhe dëshmitarë, edhe pse kanë kalue plot 48vjet. Gjithçka, u përgatit në zyrat e S.Sh. dhe pat si promotor fillestar politikën përçarëse të PKSh-PPSh; e cila, u realizue me futjen e grindjeve midis familjeve të malcorëve me anë të disa vrasjeve. Me këto vrasje, Sigurimi, realizoi, jo vetëm faktin e sipërm, por provokoi nji mosbesueshmeni ndaj bariut shpirtëror të fshatarëve (sa mbërrijti kjo, u provue vetëm më 1990).
Politika e ndjekun n’atë kohë ishte krejt e panjoftun për popullin shqiptar, por që malcorët e kishin dëshifrue me kohë në dy kandvështrime:
Sëpari, Malcia e ka konsiderue Enver Hoxhën dhe komunizmin e tij si pushtuesa, të barabartë me malazezin e serbin (bile edhe sot thonë “kur kanë hi këta”);
Sëdyti, periudha që përkon me propaganden e luftës kundër diversantave (1946-1958), ka qenë periudha, që Enveri pushtoi Shqipnin e Veriut dhe e vuni atë nën skllavërinë e vet. Vetëm ky fakt dhe vetëm ky, ka qenë shkaku i tragjedisë së mavonshme dhe aspak prifti si subjekt në vedi. Kjo kuptohet edhe prej faktit, se Dom Engjëll Kovaçi, ka qenë i denuem edhe me 1954 (me vendim #33 dt. 16 qershor, por për moskallxim krimi kundër shtetit, simbas nenit #226) me 5 vjet burg, prej të cilave bani tre (del pyetja: Pse u lirue para kohe!?). Disa ditë përpara vrasjes, Dom Engjëlli, largohet nga Qelza për punët e tia, kurse forcat e sigurimit, pikërisht në këtë kohë kryejnë krimin n’afërsi të Kishës pa prift, tue vra operativin e zonës Markun. Ai ka shumë mundësi, që asht vra edhe në përpjekje me malcorët e malit, ndërsa Sigurimi e shfrytëzoi këtë rast për qëllimet e tija tue eliminue edhe Dom Engjëllin fizikisht. Domethanë, se nuk ishte se Dom Engjëlli, asht largue mbas vrasjes, por asht krye vrasja mbas largimit të priftit prej katundit, gja të cilën e tregojnë katundarët, pikërisht, kjo u fsheh në gjyq dhe u dëshmue e kundërta, tue e ngatërrue qëllimisht kronologjinë e ngjarjes, një diçka e njoftun ndër gjyqet komuniste, mbasi populli i Shkodrës, asht dëshmitarë mbas 48 vjetësh, për nji ngjarje analoge, ku u vra lulja e rinisë shkodrane dhe S.Sh., njofton kronologjinë si i intereson atij.

Sesi u ba puna me kufomen e viktimës dhe a u fut në Kishë, ajo nuk ka rëndësi, mbasi faktikisht prifti i katundit Qelzë, u arrestue për vrasjen e kryeme prej forcave të Sigurimit dhe si pasojë tjerat çështje që vijnë mbas, janë plotësisht të kjarta, mbasi Dom Engjëlli, atëherë ishte në hetuesi e për 7 muaj u realizue projekti.

Se çfarë ka ndodh aty, këtë nuk e dijmë. Asht fakt, se S.Sh. me K.K.Sh., ka përdorë të gjithë mjetet e metodat ma shnjerëzore, për t’i ba me pohue gjanat ma absurde. Kjo dihet botnisht. Por dihet edhe se kush prej torturës merrte përsipër faje të paqenuna, mbas gjyqit të “popullit” eleminohej fizikisht. Kështu edhe çështja mbyllej si donin ata.

Në këtë rast gjyqi “vertetoi” edhe se Don Engjëlli ishte një “vrasës ordiner”, edhe pse nuk kishte asnji lidhje me krimin. Organizatorët e vrasjes dhe të gjyqit (mbasi përveç Gjen.Hilmi Seitit, në sallën e gjyqit, kanë asistue edhe dy gjeneral të Ministrisë P.B.), donin me përgatitë nji terren sa ma të sa ma të dënueshëm prej popullit e, aq ma tepër të damshëm për priftin, gja e cila në dukje ecte siç dëshironte S.Sh. Por këtu i ngeci sharra në gozhdë. Njëna prej dy motrave të priftit, tue mos mujtë me mbajtë mbi vedi nji turp të tillë proteston me forcë, tue denoncue para popullit të terrorizuem të Shkodrës, se ai gjyq ishte nji akt mashtrimi i plotë dhe se asgja nuk ishte siç propagandohej. Të gjitha pohimet e paqenuna ishin mbërrijtë prej S.Sh., me tortura të papërshkrueme, gja e cila e detyroi trupin gjykues me mbyllë edhe seancen gjyqsore, për të vazhdue mbas dreke për qejfin e tyne. Trimnija e kurajoja e saj, u shpërblyen me 25 vjet burg, me vendimin Nr12, dt.13/XI/1958. Në nji farë mënyre, ky akt i kësaj burrneshe, solli deshtimin e suksesit të gjyqit në drejtim të besueshmenisë. Atëherë S.Sh., veproi në krahun tjetër, mbasi e kishte përgatitë edhe variantin tjetër, po të ndodhte ajo që ndodhi; arrestoi edhe Pader Leonard Shajakun, tue e akuzue për mosdenoncim krimit në rrëfim prej Dom Engjëllit (gja që nuk kishte si me qenë, përderisa nuk ishte as vrasje prej Dom Engjëllit), për vrasjen hipotetike dhe e dënon me heqje lirie, kur ai ishte ma shumë se 70 vjeç, fati i të cilit s’dihet as sot…
Me këtë krim, u mbyll procesi e mbas nji muaji u ekzekutue, ku menjiherë do të fillonte edhe propaganda e shthurun kundër klerit katolik, deri në mbylljen e kishave, tue i pasu me nji seri pafund gjyqesh fallco në veçanti kundër klerikëve katolik, tue i veshë çka i ka ardhë përdoresh S.Sh.

Mbas të gjithë këtij informacioni, a kemi të drejtë të pretentojmë mbi pamjaftueshmërinë e Vendimit të Kuvendit Popullor (sot Parlamentit), kur realizoi pafajsinë e të denuemve të ndërgjegjës? Asht në nderen e Parlamentit me ndreq gabimet e “drejtësisë” shqiptare, kur ata lidhen me veprimet e S.Sh.

Për njohuni të dy motrat e Dom Engjëllit janë në Shkodër e jetojnë thjeshtësisht. Ata nuk pranuen me ba asnji dëshmi, por kjo nuk do të thotë, se ato nuk duen drejtësi. Mbërrijta me kuptue, se ato jetojnë me hijen e zezë të Sigurimit komunist, që i ka ndjekë për vite me radhë, e sigurisht shkëputja asht e vështirë, mbasi e kanë pague tepër shtrenjtë. Të friksueme deri në palc nga politika shtypse e rregjimit të E.Hoxhës, ato mbajnë mbi vedi nji krim të paqenun si dhe të vërtetën e madhe të ngjarjes së Qelzës.

Bibla, thotë: “Non coronabitur nisi legitime certeverit! (Të mos i jepet kunora, po të mos ketë luftue simbas rregullave).

N’emen të katundarve të Qelzës së martirizueme, kërkojmë përsëritjen e gjyqit të të ndjerit Dom Engjëll Kovaçit, po jo vetëm në Shkodër, mbasi foleja shpirtnore, ka të drejtë të asistojë në seancat e gjyqit. Katundarët hjedhin në gjyq “drejtësinë” shqiptare për shpërdorimet e bame dhe kërkojnë drejtësi për bariun e tyne shpirnor të dikurshëm, qe u masakrue pa faj.

E drejta vonon, por nuk harron. “Mund të gënjesh nji pjesë të popullit për nji farë kohe, por nuk mund të gënjesh të tanë nji popull për të gjithë kohën”, ka thanë ish-Presidenti i ShBA-së Mr. Abraham Linkoln.

Tiranë, më 19 tetor 1991

Shenim: varianti gjuhesor i këtij artikulli është sipas botimit tek revista “Jeta Katolike” New York, Viti 40 – të i botimit, 3/2006.