1-Ateizëm shkencor apo antishkencë shqiptare?

Është e drejta e gjithkujt ta emërtojë veprimtarinë e një shtrese të shoqërisë, kur ajo nuk i shërben njeriut, “antishkencë”. Pikërisht i tillë ka qënë pozicioni i të vetëquajturve studiues këtu në Shqipëri. Fatkeqësia më e madhe e tyre ka qënë eleminimi i kritikës direkte të veprimtarisë shoqërore dhe lejimi i një kritike, pa domethënie, në adresë të veprimtarisë ndërkombëtare. Kulmin ky fenomen e pati në fushën e fesë, ku “ateistët” shqiptarë u treguan shumë pjellorë duke i dhuruar popullit  të tyre një panoramë sa të gënjeshtërt aq dhe antishqiptare. Zaten thelbi e të tërë veprimtarisë së tyre ka qënë kjo e fundit. Na jepet rasti të evidentojmë një pjesë të kësak veprimtarie me pretendimin se i japim popullit shqiptar një hapësirë të pa evidentuar kurrë në mënyrë kritike duke u munduar sadopak të rregullojmë ndërgjegjen e penduar të këtyre “shkencëtarëve”.
Më 1967-ën PPSh-së i shpalli luftë njerëzimit në një formë të paparë ndonjëherë: eleminoi institucionet fetare në shkallë vëndi me pretendimin se luftonte fenë në emër të ateizmit edhe pse komunistët shqiptarë nuk ja kishin dhe kanë haberin ateizmit,. Duke pasur parasysh këtë të fundit është enigmatike arësyeja përse u ndoq kjo rrugë kundra klerit në përgjithësi dhe atij katolik në veçanti. Por duke studiuar filozofinë e atyre që pollën antishkencën shqiptare zbuluam pikërisht enigmën e mësipërme.
Kur flitej për fenë në Shqipëri gjithmonë merrej për bazë materializmi dhe marksizmi e me anë të tyre spekullohej pa fund. Postulati marksist: “Feja është opium për popullin”, u bë lejmotivi i luftës kundra fesë pa e ditur aspak se ku ishte thënë dhe si ishte thënë kjo frazë. Të vetë quajturit studiues, të rrëmbyer nga euforia politike, servilizmi partiak dhe shtetëror, nga padija filozofike u hodhën në sulm sipas gjurmëve të dishepullit të tyre osman kundra ndërtesës fetare me pretendimin se mund të rrëzonin një kështjellë 50 000 vjeçare me një veprim politik 25 vjeçar (të gjitha këto lloj veprimesh duhen konsideruar antinjerëzore me vërtetim teoriko-praktik ku hapësira kontraktohet me kohën duke e hibridizuar shoqërinë negativisht).
Së pari duam të diskretitojmë në sytë e lexuesit shqiptar pretendimet e të vetëquajturve studiues sikur marksizmi ka qënë ai që e ka zgjidhur problemin e fesë në planin teorik (këtë nuk e ka zgjidhur kërkush deri më sot dhe në këtë pikë filozofia idealiste i ka fituar të gjitha betejat me filozofinë materialiste jo për meritë të së parës, por për paaftësi të së dytës). Sipas Engelsit, ai dhe Marksi, e kishin lënë pas dore rrugën e formimit të ideve politike, juridike dhe të pikëpamjeve të tjera ideologjike duke e konsideruar këtë një çështje forme (për këtë shih letrën e Engelsit drejtuar Meringut me 14 korrik 1893). Sipas këtij argumenti marksizmi nuk e ka cekur aspak problemin e lindjes së fesë. Kështu që të gjithë pretendimet e “ateistëve” shqiptarë kanë qënë fallso, dmth të gënjeshtërta. Ky fakt është i mjaftueshëm për të argumentuar moslidhjen e luftës kundra institucioneve fetare me fenë. Më shkoqur fare kleri katolik shqiptar nuk u luftua për shkaqe fetare, por për arësye të tjera dhe ne pretendojmë të zgjidhim këtë por.
Në qoftë se do t’i hidhim një sy antishkencës shqiptare për problemin e lindjes së fesë do të dallonim një veçori jo të parëndësishme. Lufta kundra institucioneve fetare u shpall më 1967, por në fushën e teorisë kjo luftë u zhvillua në vitet 1981-1989. Arësyeja duhet kërkuar tek Enver Hoxha i cili e lejoi këtë luftë vetëm pasi përgatiti armatën antishkencore shqiptare, njësoj si për rastin e luftës kundra gjuhës shqipe, të cilën e shpalli që në vitin 1955, por e kurorëzoi vetëm më 1972-shin. Veçoria tjetër është e lidhur me përmbajtjen e antishkencës shqiptare, që përbën thelbin e këtij artikulli. Brënda nëntë (9) viteve (1981 – 1989) në Shqipëri janë botuar gjashtë punime të ndryshme nga të vetëquajturit studiues ku preket edhe problemi i lindjes së fesë dhe asnjëra nuk është njësoj me tjetrën me pretendimin se gjithëkush ka thënë të vërtetën në mënyrë origjinale: për përsa i përket largësisë me këtë të vërtetë duhet të pranojmë se në këtë pikë ato janë të barabarta midis tyre dhe në kundërshtim të plotë me të. Asnjëra prej tyre nuk përputhet me realitetin historik dhe arësyetimin materialist  mbi lindjen e fesë.
Ne po fillojmë me punimin e autorit të “Ateizmi shkencor” meqënëse kjo është vepra më e plotë e botuar në Shqipëri (realisht ky studim është një kopjim i librit të Em. Jarosllavskit “Bibla për ata që besojnë dhe nuk besojnë”) për këtë problem edhe pse ne e konsiderojmë si një iluzion ateist shkencor të tërë dimensionin e pikëpamjes së tij mbi lindjen e fesë. Sipas tij:

“Feja ka lindur në një kohë shumë të largët (sa dhe sa larg lindjes së njeriut kjo është akoma një mister për këtë autor, GH) e primitive nga përfytyrimet më injorante të njerëzve mbi natyrën e tyre dhe mbi natyrën e jashtme që i rrethonte”. (Hulusi Hako, Ateizmi shkencor, f. 35)

Të vetëquajturit studiues nuk e kanë nxjerrë nga koka e tyre, në mënyrë absolute, origjinën e fesë nga injoranca. Ata për këtë “zbulim” kanë përdorur metodën e kundërtisë; dmth atje ku përfaqësuesi i fundit i filozofisë klasike gjermane, L. Fojerbahu, pohon të qënurit e fesë një kulturë primitive deri atje sa thotë “kultura është fe e vërtetë” dhe ngrihet kundra shpërdorimit të fjalës fe, “sepse me fjalën fe lidhen gjithnjë paragjykime dhe përfytyrime jo humanitare” (shih librin e L. Fojerbahut: “Leksione mbi thelbin e fesë”) këta të vetëquajtur studiues gjejnë origjinën e fesë. Sipas nënkuptimeve që dalin në këtë rast, mjafton të kthehet përsëmbrapshti parafrazimi i Fojerbahut dhe mund të shpiket një shkak falls për lindjen e fesë dhe kemi “zbuluar” pikërisht atë që nuk ditkërka njerëzimi mbi fenë. Ky zbulim nuk është bërë këtu në Shqipëri; autori i rreshtave të mësipërm fare, të cilat e përcaktojnë fenë si pasojë të injorancës, e ka huazuar këtë “zbulim” spekulativ nga shkolla shtetërore ku ai ka përfunduar studimet e larta. Paaftësia e filozofit për të nxjerrë shkakun aktiv të lindjes së fesë e çon atë në një vetëmohim përfundimtar, sepse injoranca duke u mbartur nga krijesa të pashkolluara, ose që i njohin fare cekët disa fenomene të natyrës dhe shoqërisë, nuk mund të jenë një shkak i mundëshëm i lindjes së fesë për faktin e thjeshtë fare sepse kanë lindur vetë pas fesë (ja përse shërben në këtë rast raporti kohor – hapsinor). Dhe më larg akoma feja është shkaku më aktiv për lindjen dhe lulëzimin e kulturës (ashtu si lufta që është shkaku themelor, sot për sot, për lulëzimin e teknikës) duke qëndruar në themel të saj në një masë të tillë sa duhet ta pranojmë që kultura e vërtetë fillon me fenë. Nga ana tjetër, po të pranojmë injorancën si shkak për lindjen e fesë, ne duhet të pranojmë edhe masën e nevojshme të kësaj injorance, meqënëse autori pretendon të jetë materialist, që të kundërshtonim ekuacionin kohor njeri = ide fetare, gjë kjo krejtësisht e pamundur pasi në të kundërtën feja duhej të kushte lindur në shumë variante në Shqipëri prej kohësh.
Këtë pamundësi autorët e materializmit historik e kanë kapur, por pa e zgjidhur dot duke mos kryer as kritikën e plotë ndaj pikëpamjes së lindjes së fesë nga injoranca. Sipas tyre:

“padija dhe mashtrimi nuk mund të quhen shkaku themelor i lindjes së fesë. Midis njerëzve ka pasur edhe të ditur që kanë besuar në ekzistencën e zotit, siç ka pasur e ka edhe të paditur që nuk kanë besuar (këto nuk janë argumenta për të hedhur poshtë shkakun e lindjes së fesë nga injoranca, GH). Lindja dhe përhapja e fesë ka shkaqe më të thella”. (Materializmi Historik, f, 470)

Në qoftë se themi se është pozitiv fakti i pranisë së polemikës mbi këtë problem, nuk mund të mos themi se është negativ fakti i mungesës së analizës mbi bazën e kohëekzistencës së injorancës. Me metodikat e sotme nuk ka asnjë mundësi teorike përcaktimi i nivelit të njohjes njerëzore në Komunën Primitive e cila, dhe për këtë të jenë të sigurtë, as që ka pasur fare nivel njohjeje në kuptimin që i japim ne sot dhe, rrjedhimisht, injoranca nuk mund të ketë vënd me praninë e saj. Komunari i lavdishëm i ka dhënë prioritet vetëm punës se sa ideve, lulëzimi i të cilave fillon vetëm pas ndarjes së punës ku feja ka qënë e lindur me kohë. Kështu që, përfundimisht, pranimi i injorancës si shkak për lindjen e fesë të çon në ekuacionin kohor fe = kulturë dhe vetëm për këtë shkak nuk duhej pranuar nga ana e tyre me gjithë dëshirën e mirë për të “ndihmuar” popullin shqiptar në këtë drejtim.
Pastaj ky autor duhet ta dijë se iluzioni fetar nuk mund të lindë si pasojë e botës së përfytyrimeve mbi natyrën pasi në këtë rast ndryshueshmëria e formave të fesë duhet të ishte, në mos infinit, e barabartë me numurin e njerëzve në globin tonë. Mos ekzistenca e këtij fakti e rrëzon poshtë tërësisht pikëpamjen e autorit tonë, ateist vetëm në moshë.
Mirëpo gjëndja e injorancës në botë dhe raporti kohor me të sotmen në vëndet e zhvilluara e çveshën fenë nga injoranca dhe detyrimisht lindi nevoja për një interpretim të ri të shkakut të lindjes së filozofisë më të vjetër, përsa i përket dokumentacionit, të njerëzimit. Dhe në vënd që t’i drejtoheshin kësaj filozofie për të kuptuar të vërtetën, të vetëquajturit studiues ju drejtuan imagjinatës së tyre duke bërë realitet atë që autori i “Ateizmit shkencor” thoshte për fenë. Mjafton të heqim fjalën fe si dhe frazën “kohën shumë të largët e primitive” dhe do të kemi pikërisht shkakun real të lindjes së pikëpamjeve mbi shkakun e lindjes së fesë. Duke dashur ta dënojnë këtë fe, sepse kështu ishte urdhëri i Keopsit shqiptar, këta autorë dënuan veten e tyre jo pse kryen një sakrilegj me këtë dëshirë, por sepse nuk realizuan kurrë atë qe pretendonin as me përafërsi dhe që u shërbeu për të marrë titujt shkencorë: doktorë, profesorë, akademik. Duke mos nxjerrë në pah zhvillimin shkakësor të vërtetë të lindjes së fesë dhe raportin dinamik të lidhjes me institucionet fetare, këta studiues e lanë pas dore dhe në heshtje masën e domosdoshmërisë së fesë në planin kohor dhe hapsinor, sidomos për popullin shqiptar, i cili është i vetmi popull në Europë pa institucione fetare autoktone, por jo pa besim fetar autokton. Populli shqiptar është një nga të dy popujt e vetëm të Europës bartës të kulteve fetare pagane para politeiste (bashkë me popullatën baske).
Në këtë mënyrë lindi forma tjetër botëkuptimore e shkakut të lindjes së fesë, e cila ndryshon me të parin vetëm nga pozicioni i gërmave. Duke dashur të duken origjinalë dhe si shpikës të një diçkaje të re në rangun kombëtar, këta autorë nuk u mbështetën në pikat udhërrëfyese të filozofisë materialiste, por krijuan një shkak krejtësisht falls e të gënjeshtërt.
Sipas njërit prej autorëve të “Materializmi-t Historik” thuhet se:

“Feja ka lindur në komunën primitive si shprehje e pafuqisë së njerëzimit përpara forcave shkatërruese të natyrës”.( f. 470 )

Megjithëse ishte po ky autor që vuri theksin mbi pamundësinë e padijes dhe injorancës për të qënë shkaqe thelbësore për lindjen e fesë, kjo nuk e pengon të shpikë pafuqinë e njerëzve për të shpjeguar fenomenet e ndryshme të natyrës si shkaqe të vetme që çuan njeriun e asaj kohe të gjejë “babain” e atyre fenomeneve duke e shpikur atë nga bota e vet shpirtërore, dmth subjektivizmi është rezultat i subjektit. Pastaj që të pranohet kjo tezë është e domosdoshme të vërtetohet më përpara mënyra dhe koha e formimit të fuqisë së njerëzimit përpara forcave shkatërruese të natyrës, kur një gjë e tillë është e pamundur jo vetëm në teori, por sa të jetë njeriu ai gjithmonë dhe kurdoherë do të jetë inferior përpara forcave të natyrës së përjetshme. Këtë nuk e thotë vetëm filozofia fetare, por edhe vetë materializmi pranon inferioritetin e njeriut përpara natyrës së përjetshme pavarëssiht nga shkalla e zhvillimit social.
Në të vërtetë të vetëquajturit studiues, për këtë problem, patën gjetur belanë pasi nuk po e bindnin dot klasën që ata “drejtonin”. Ata u munduan me të gjitha forcat të gjenin atë që nuk ekzistonte dhe të ndodheshin brënda asaj që i interesonte kësaj klase. Këtë gjë mundohet të bëjë autori i një libri mbi estetikën i cili kopjon nga Marksi disa nocione dhe i monton në një mënyrë të tillë që duket sikur japin pikërisht atë që autori ynë mendon se është e saktë, por duke harruar se edhe vetë Marksi nuk guxoi ta prekte këtë problem në mënyrë zgjidhëse deri në fund. Mënyra sovjetobolshevike e të shprehurit të problemit duke me të vërtetë bindshëm tek ky autor (zëvëndësimi i revolucionit me fraza për revolucionin përbën këtë shprehje). Sipas tij:

“Në botën e “pa shpirt” të shtrëmbër lindin edhe produkte ideologjike të shtrëmbëra, si feja, idealizmi, idetë revolucionare politike, morale, estetike etj”. (Alfred Uçi, Çështje teorike të estetikës, f. 18-19)

Së pari, në funksion të fesë, autori duhet të vërtetojë se ajo lind vetëm në një shoqëri të shtrëmbër (për ne është bota klasore) dhe nuk ka asnjë lidhje me komunën primitive. Por fakti historik është krejt i kundërt, pasi ne gjejmë gjurmët e fesë jo vetëm në gjirin e komunës primitive pas ndarjes së punës, por edhe para saj; – atëhere kur Komuna Primitive ishte mirëfilli e tillë dhe nuk ekzistonin pozicione të tilla të botës njerëzore.
Së dyti, autori duhet të vërtetojë se feja, të paktën njëra nga format e saj, lind vetëm në shoqërinë me klasa duke i shërbyer aktualisht këtyre të fundit tipikisht në formë (që të moskeqkuptohemi duhet që një formë fetare të ketë lindur nga një klasë e caktuar sunduese dhe t’i ketë shërbyer kësaj të fundit). Por edhe këtu fakti historik është krejt i kundërt pasi çdo formë fetare ka lindur më përpara se rendi shoqëror të cilit ajo i ka shërbyer. Dmth ajo mund të ketë lindur në një botë të shtrëmbër, por ama i ka shërbyer një rendi më të përparuar dhe në varësi nga paraardhësi i vet, ky rend nuk mund të jetë më i shtrëmbër dhe detyrimisht roli i fesë ka qënë dhe është progresiv.
Këtë tezë autori duhet ta ketë kopjuar nga Marksi ose tek materialet dotëshkrimore filozofike ose tek “Rreth kritikës së filozofisë hegeliane të së drejtës” (f. 7-8), por me sa duket nuk e ka kuptuar dot analizën e autorit. Nocioni “botë e shtrëmbër” tek Marksi është dhënë në funksion të shtetit dhe shoqërisë, të cilat pjellin fenë jo si ndërgjegje, por si formë aktuale që i shërben klasave sunduese. Autori duhet ta kishte zbërthyer të tërë proçesin e fesë në drejtim të lindjes për të kuptuar drejt pikëpamjen e Marksit për këtë problem; dhe po ta kishte bërë këtë do të arrtinte në përfundimin se shoqëria greko – romake, në fazën kur lindi krishterimi, ishte me të vërtetë e shtrëmbër, por JEZU KRISHTI për të rregulluar këtë shtrembësi erdhi në jetë.
Por ne kemi edhe një bindje tjetër për këtë autor pasi në shkrimet e tij qëndron edhe mosbesimi ndaj asaj që ka thënë dikur vetë. Realiteti historik njeh raste kur individë të ndryshëm kanë kaluar nga një pozitë cilësore botëkuptimore në një tjetër, por, në këtë kuadër kanë kryer një revolucion të vërtetë që ka ndikuar në zhvillimin e mëtejshëm të mendimit shkencor, tek autori ynë nuk ka një dukuri të tillë pasi kalon nga një pozitë pasaktësie në një tjetër ku gjithëshka përmblidhet vetëm brënda karakterit sasior të ndryshimit të pikëpamjeve. Meqënëse morali i tij i brëndëshëm nuk e ka lënë të qetë prej tre vjetësh mezi ka gjetur rastin të bënte një ndryshim, në pamje të parë thelbësor, të formalizmit filozofik nga bota subjektive e subjektit të Marksit në atë subjektive të subjektit të vet dhe shokëve të tij duke e ngritur paaftësinë perceptuese të njohjes indirekte në shkallën e një pseudomaterializmi me anë të së cilës gënjen veten dhe neve për problemin e lindjes së fesë sipas këndvështrimit filozofik. Duhet pranuar se edhe ky autor nuk ka shkuar më larg se ky këndvështrim gjë që tregon tendencën e pikëpamjeve të tij botëkuptimore dhe të shokëve të shtresës së vet. Nuk ka absolutisht asnjë bazë domosdoshmërie kalimi nga njëri subjekt në një subjekt tjetër, ashtu siç nuk ka asnjë rëndësi kalimi nga një rend shoqëror i plakur në një tjetër, por të prapambetur nga ana kohore kur relacionet me popujt e tjerë e suprimojnë këtë domosdoshmëri duke treguar paaftësinë e drejtuesve politikë të këtij populli.
Kjo pjesë, që po citojmë nga ky autor, nuk ka dhe shumë vlera vetiake, se sa kur krahasohet me atë që cituam më lart. Sipas tij:

“Pikëpamjet e para fetare nuk lindën thjeshtë nga ndonjë “kërshëri e thjeshtë teorike për t’u futur në brëndësinë e enigmave të qënies”, por atëhere kur njerëzit primitivë ndesheshin me diçka të jashtëzakonshme, frikësuese, kur kërcënoheshin nga forcat shkatërruese të natyrës (për ta të pakuptueshme), siç ishin shpërthimet e vullkanit, tërmetet, stuhitë, rrufeja, bubëllimat, eklipset e diellit, të hënës, epidemitë etj. Këto pikëpamje lindën nga kushtet e një jete materiale të pazhvilluar që bënin të mundur një pasqyrim të shtrëmbër, fantastik të natyrës. Feja dhe mitologjia fetare, besimi në shpirtërat e pavdekshëm dhe në një botë tjetër kanë lindur nga pafuqishmëria e njeriut para forcave të verbëra të natyrës në kushtet e një zhvillimi të ulët material të shoqërisë primitive (nënvizimet e autorit)”. (Alfred Uçi, Çështje teorike të estetikës, f. 18-19)

Duke dashur t’i shpëtojë pozicionit të dyshimtë të tij, ngaqë e analizon problemin jashtë qënies shoqërore, ky autor realizon lidhjen varësore të fesë me jetën materiale të pa zhvilluar pa i shkuar ndërmënd se po të kishte qenë kështu, atëhere format e besimit fetar duhet të kishin kaluar nga monoteizmi drejt kultit të natyrës. Pastaj nocioni jetë e pa zhvilluar ka kuptim po të krahasohet me të sotmen, por në raport me zhvillimin biologjik është i paqënë pasi konstantja kohoro – hapsinore për shoqërinë nuk mund të pranojë një jetë të ndryshme nga zhvillimi i trurit. Në këtë rast ato janë në unitet varësor, ku jeta përcakton zhvillimin e trurit i cili nuk e lind fenë pse jeton keq, por pse nevojat shoqërore çojnë domosdoshmërisht në plotësimin e produkteve të trurit me hapësira subjektive, meqënëse ato objektivet nuk mund të pasqyrohen më, nga që nuk ka më të reja. Pra mungesa e këtyre të fundit nuk lind nga jeta e keqe materiale (e pa zhvilluar), por nga pamundësia e kësaj jete për të plotësuar të gjithë hapësirën prodhuese të ndërgjegjes së njeriut. Po të ishte ashtu siç thotë autori ynë, atëhere sot kur ka një jetë të zhvilluar, sipas pikëpamjes së tij, nuk duhet të kishte fe dhe, akoma më tej, gjatë rendit feudal, duhet të kishim një formë të re fetare përtej monoteizmit; mungesa e së cilës na jep të drejtë jo vetëm të dyshojmë në saktësinë e kësaj analize, por edhe ta kundërshtojmë atë duke kaluar nga bota e kritikës në atë të zgjidhjes së problemit tonë.
Diferenca kohore midis të dy pikëpamjeve është plot tre (3) vjet dhe ne shtrojmë pyetjen: çfarë fenomeni ndodh me mendimin filozofik shiptar që ai ndryshon vetëm në sasi, dhe kjo vetëm brënda botës subjektive? Për t’i dhënë një përgjigje të saktë është e nevojshme të analizohet më përpara dinamika e qënies shoqërore shqiptare pasi vetë ky mendim, i vetëquajtur filozofik, varet nga qënia, pamvarësisht nga kushtëzimi reciprok midis tyre. Ky fakt duhet të na shërbejë si argument përse mendimi filozofik shqiptar merret me fetë njëzet (20) vjet mbas luftës politiko – ekonomike që mori PPSh-së kundër institucioneve fetare. Mos vallë këtu kemi një mospërputhje pikëpamjesh, apo një detyrë të pazbatuar dhe të pazgjidhur nga kërkush sipas interesave politike të partisë në pushtet? Apo mos vallë nga paaftësia intelektuale e të vetëquajturve studiues? Nuk është e vështirë të zgjidhet ky rebus me shumë pak të panjohura, të paktën sot.
Kjo paaftësi bie në sy kur analizohen menbdimtarët grekë të epokës klasike mbi çbazë lindi një formë e re e lindjes së ideve fetare sipas autorëve tanë. Sipas një autori mbi filozofinë e lashtë greko – romake njerëzit e komunitetit primitiv:

“më parë se t’i drejtoheshin arësyes”..”i janë drejtuar fantazisë, me anë të së cilës ato krijuan një tablo iluzore mbi botën dhe mbi vetë ekzistencën e tyre”(Fatos Tarifa, Filozofë materialistë të lashtësisë, f. 17).

Në këto rreshta gjëndet një e panjohur e madhe për këtë autor dhe për shumë – shumë të tjerë, i cili është tentuar për tu zgjidhur në favor të interesave propogandistike, por pa u zgjidhur dot as me përafërsi; dhe pikërisht raporti midis fesë dhe filozofisë në planin kohor dhe hapsinir; dmth kush ka lindur më përpara dhe kush ka jetë më të gjatë.
Së pari, historikisht feja ka lindur përpara çdo forme filozofie në atë masë sa ne duhet të pranojmë se feja është forma e parë e filozofisë.
Së dyti, zanafilla e mendimit filozofik mund të gjëndet në Komunën Primitive, por varet se e kujt faze të kësaj shoqërie. Autori duke i bashkangjitur kësaj komune faktin e sapodaljes nga “mbretëria e kafshëve” nuk e merr parasysh fare këtë fazë, por e nënkupton të njëhsuar me vetë komunën. Ne e sqarojmë këtë autor se vetë Komuna Primitive ka një masë shumë të madhe kohore pa ndarje pune dhe një masë “të vockël” me ndarje pune (raporti midis tyre duhet të jetë shumë më i madh se 1000 :1). Vetë mendimi filozofik, me të dy grupimet e tij kryesore, është i dokumentuar pas ndarjes së punës, bile pas formimit të shtetit ku më përpara kanë ekzistuar dy forma fetare primitive, njëra e perënduar dhe tjetra në këmbë. Atëhere ç’hyn këtu fantazia dhe tablotë iluzore?     PLËR TË
Së treti, njerëzit primitivë nuk kanë pasur nevojë të kishin ide në kokat e tyre, pasi ata kanë punuar bashkarisht dhe në mënyrë të barabartë (raportet njeri –natyrë kanë qënë të pa diferencuara), kështu që edhe mendimet e tyre, duke u varur nga këto raporte, kanë qënë të unifikuara. Domethënë para ndarjes së punës në kohërat e komunarëve të mirëfilltë nuk duhet të ketë pasur asnjë ide të karakterit inproduktiv, pra fentazia nuk ekziston. Në qoftë se autori ynë mund të ketë ndonjë sinjalizim të kundërt me këtë, atëhere duhet të jetë i sigurtë se gjithëshka është e ndodhur pas ndarjes së punës. Karakteri prodhues ose jo i ideve duhet të lidhet me duetin objekt – subjekt ku njeriu promitiv është marrë gjithmonë me të parin. Kështu që në ato kohëra të lavdishme duhet të ketë pasur, nga njëra anë punën dhe, nga ana tjetër, fenë (kultin e natyrës); dmth fantazia dhe tablotë iluzore kanë lindur më vonë.
Së katërti, njeëzit e komunës primitive nuk kanë pasur nevojë për të shpjeguar fenomenet e natyrës, të paktën para ndarjes së punës. Fenomeni i ndarjes së punës ka përcaktuar edhe fenomenin e shpjegimit të natyrës dhe në këtë kuadër mund të shpjegohet mënyra e lindjes së materializmit dhe idealizmit filozofik.
Me sa duket kjo formë e lindjes së fesë është konsideruar gjysmake pasi mbështetej në  një veçori subjektive të njeriut, atëhere studiuesit shqiptarë të vetëquajtur kritikë materialistë shpikën një formë tjetër për lindjen e fesë e cila mbështetej në një faktor ultraobjektiv, siç ishte prona private, që përbën dhe kulmin e antishkencës shqiptare duke treguar karakterin origjinal të saj. Sipas një kritiku:

“Prona private dhe pafuqishmëria e njeriut përpara forcave të verbëra të natyrës dhe të shoqërisë e ka lindur atë ( fenë, GH ) dhe e mban gjallë”. ( Artan Fuga, Ekzistencializmi i Sartrit filozofi e reaksionit imperialist, f. 73)

Nga pikëpamja kohoro – hapsinore kritikën kundra këtij autori e kemi shumë të lehtë. Sipas tij prona private ka lindur përpara fesë dhe me zhdukjen e pronës private do të zhduket edhe feja. Këtë gjë ky autor nuk e ka shpikur nga mëndja e vet, ai e kopjoi këtë nga dishepulli i vet, Enver Hoxha, i cili e sajoi këtë për të justifikuar vjedhjen e pronave që i bëri popullit shqiptar në përgjithësi dhe institucioneve fetare në veçanti (për këtë shih Vepra 52, f. 83).
Të thuash se prona private lind fenë dhe e mban atë duhet që feja të ketë lindur mbas pronës private dhe, sipas kontinumit kohor – hapsinor, të zhduket përpara saj. Historikisht kemi dy forma fetare përpara se të lindë prona private dhe një formë fetare përpara se të lindë prona fisnore, forma paraardhëse e pronës private; dmth autori ynë gabon kokë e këmbë për problemin e lindjes së fesë. Përsa i përket faktit se kush e mban fenë autori duhet të jetë i sigurtë që prona private mund të mbajë shumë – shumë institucionet fetare, por kurrsesi fenë. Jetëgjatësia e fesë është shumë përtej pronës private dhe e barabartë me jetën e njeriut në Tokë në një masë të tillë sa ne duhet të pranojmë, gjithmonë nga pozitat e materializmit filozofik, që akti i fundit ideor i shoqërisë njerëzore është bota e fesë. Dmth, sipas nënkuptimeve që dalin nga filozofia materialiste, njeriu lind pa fe, por vdes me fe; dhe këtë Ju, filozofë shqiptarë të shkollës së komunizmit, nuk dini ta bëni, sepse Ju nuk keni qënë kurrë materialistë, por njerëz të politikës së mbrapshtë, të një partie të mbrapsht, të udhëhequr nga një njeri i mbrapsht.
Së fundi, duke u rikthyer tek dy pyetjet tona të fillimit, ne i përgjigjemi faktit përse PPSh-së luftoi fenë dhe institucionet fetare mbas 1944-ës.
Lufta e vërtetë kundra institucioneve fetare nuk është bërë më 1967 dhe nuk është aspak e vërtetë që institucionet fetare u hoqën vetëm më 1967. Ai vit ka qënë thjeshtë një formalizëm për të barazuar, në drejtim të persekutimit, institucionet e të tre formave fetare në Shqipëri. Lufta kundra institucioneve fetare është kryer në periudhën 1945-1951 dhe përmblodhi vetëm klerin katolik në të gjithë hierarkinë e tij. Edhe sot lufta nuk bëhet kundra mureve të betonit, por kundra njerëzve kundërshtarë dhe në këtë drejtim kleri katolik shqiptar përbën antipodin e komunizmit shqiptar. Në këtë fushë u ndeshën dy grupe politike, njëri thellësisht kombëtar që krijoi dhe formoi kulturën e vërtetë kombëtare duke filluar që nga alfabeti, letërsia, jurisprudenca, piktura, politika; e tjetri thellësisht antikombëtar pasi shkatërroi me rradhë gjuhën shqipe, letërsinë, politikën, shkencën dhe kulturën kombëtare. Dmth në ato vite u ndeshën kombëtarja dhe antikombëtarja ku fitoi kjo e fundit e përkrahur nga të gjithë armiqtë shekullorë të popullit tonë.
Ndërsa lufta kundra ideve fetare në realitet është bërë në mënyrë “shkencore” jo më 1967. Në atë vit ajo u shpall vetëm formalisht për shkak të institucioneve fetare (kemi parasysh librin e Viron Kokës, Ideologjia reaksionare e klerit në vitet 30 të shekullit XX, botuar më 1969, me anë të të cilit ai filloi ngjitjen e karierës së tij shkencore); në përgjithësi lufta kundra fesë u zhvillua vetëm në vitet 80 – 90 ku paaftësia intelektuale shqiptare luftoi kundra mullinjve me erë dhe me vetveten. Tepër xhelozë për madhështinë e filozofisë botërore, të vetëquajturit filozofë shqiptarë, nga ndjenja e së keqes, ju kundërvunë fesë duke kujtuar se me këtë ata mund të kishin sado pak vënd, qoftë edhe në këmbë, në armatën e mendimit filozofik botëror.
Përfundimisht ateizmi shkencor shqiptar, ose antishkenca shqiptare, nuk është gjë tjetër veçse tërësia e ideve antishqiptare plus karakterin negativ të njeriut që lind nga cmira dhe xhelozia e të keqit për të mirin, e dembelit për punëtorin, e anormalit për normalin dhe e të varfërit për të pasurin.

Shënim Ky artikull është përmbledhje e një studimi mbi fenë në përgjithësi dhe atë shqiptare në veçanti të bërë shumë vjet më përpara (1976-1979, 1985-1989). Kështu që ezaurimi i problemit është bërë në mënyrë pak të përshpejtuar nga pikëpamja analitike.

Tiranë, më 23. 05. 1992